Porto Palermo, nga Muzeu i Luftës së Ftohtë tek ish-kazermat si hotel, ja çfarë perfshin projekti
AKPT ka hapur konkursin ndërkombëtar për transformimin e ish-bazës ushtarake dhe Tunelit të Nëndetëseve në Porto Palermo.
Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT) ka hapur një konkurs ndërkombëtar për transformimin e ish-bazës ushtarake dhe Tunelit të Nëndetëseve në Porto Palermo në një kompleks të ri publik kushtuar kujtesës së Luftës së Ftohtë, kulturës dhe vizitës. Projekti parashikon që Tuneli i Nëndetëseve të shndërrohet në Muzeun e Luftës së Ftohtë, ndërsa ish-kazermat ushtarake të ripërdoren për akomodim, gastronomi, aktivitete kulturore dhe edukative.
“Dikur i ndërtuar për të mbetur i fshehur. Nesër, një mundësi për të hyrë, kuptuar dhe kujtuar”, thuhet në thirrjen e publikuar nga AKPT, e cila fton arkitektë dhe ekipe multidisiplinare nga Shqipëria dhe jashtë vendit të paraqesin koncept-idetë e tyre. Konkursi organizohet nga AKPT në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Institutin e Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake. Sipas dokumentacionit, AKPT është ngarkuar si organi qendror blerës për zhvillimin e procedurës.
Tuneli i Nëndetëseve do të bëhet Muzeu i Luftës së Ftohtë
Në qendër të ndërhyrjes është Tuneli i Nëndetëseve, i cili nuk konceptohet thjesht si hapësira ku do të vendoset muzeu, por si vetë objekti kryesor i tij. “Tuneli nuk është thjesht një hapësirë në të cilën duhet vendosur një muze. Vetë tuneli është artefakti kryesor i muzeut”, përcaktohet në termat e referencës.
Tuneli ka një gjatësi të raportuar prej rreth 655 metrash, lartësi rreth 11 metra dhe gjerësi minimale rreth 11 metra. Pjesa ujore varion nga rreth 7 deri në 14 metra në gjerësi, ndërsa thellësia është kryesisht 6-8 metra dhe në zona të caktuara arrin rreth 11 metra.
Kompleksi nëntokësor nisi të ndërtohej në vitin 1969, gjatë bashkëpunimit të atëhershëm mes Shqipërisë dhe Kinës, ndërsa punimet vijuan për afro dy dekada. Ai u projektua fillimisht për mjete detare dhe më pas u përshtat për përdorimin nga flota shqiptare e nëndetëseve, përfshirë nëndetëset e Projektit 613, të njohura nga NATO si klasa “Whiskey”.
Tuneli ishte projektuar sipas standardeve të kohës për mbrojtjen antibërthamore. Dy portat e tij të blinduara dhe hermetike ishin ndërtuar për t'u rezistuar sulmeve ajrore dhe shpërthimeve deri në 10 kiloton. Hyrja jugore është sot e hapur, ndërsa porta veriore mbetet e mbyllur.
Ish-kazermat do të kthehen në hapësira akomodimi dhe shërbimesh
Konkursi shkon përtej krijimit të muzeut në brendësi të tunelit. Ish-kazermat, shumica e të cilave aktualisht janë të degraduara, do të marrin funksione të reja. Dokumenti parashikon që akomodimi të lidhet drejtpërdrejt me identitetin e ish-bazës, muzeun dhe peizazhin. Në këto ndërtesa mund të zhvillohen gjithashtu funksione pritjeje, gastronomi, edukim, kulturë dhe shërbime të tjera të nevojshme për kompleksin.
Termat e referencës përcaktojnë se vizitorët mund të qëndrojnë në Porto Palermo për një natë ose për periudha më të gjata, të lidhura me programe kulturore, edukative apo kërkimore. Megjithatë, dokumenti vendos një kufi të qartë ndaj zhvillimit tradicional turistik. “Qëllimi nuk është krijimi i një destinacioni konvencional turistik bregdetar”, por zhvillimi i një forme mikpritjeje të lidhur me historinë, kulturën, peizazhin dhe karakterin e Porto Palermos.
Projekti nuk duhet të synojë maksimizimin e numrit të shtretërve. Kapaciteti i akomodimit duhet të përcaktohet nga potenciali i ndërtesave ekzistuese, cilësia e qëndrimit dhe kapaciteti real i territorit.
Synohet turizëm edhe jashtë sezonit veror
Synimi është që muzeu, aktivitetet kulturore dhe mundësia e qëndrimit në ish-bazën ushtarake të krijojnë arsye për ta vizituar Porto Palermon edhe jashtë sezonit veror. Projekti kërkon gjithashtu krijimin e lidhjeve me ekonominë vendase përmes punësimit, sipërmarrjeve të vogla, gastronomisë lokale, artizanatit, guidave dhe shërbimeve të tjera.
Në këtë mënyrë, ndërhyrja konceptohet si një kompleks ku trashëgimia e Luftës së Ftohtë, muzeu, peizazhi dhe mikpritja bashkëveprojnë, duke ruajtur njëkohësisht karakterin e veçantë të territorit.
Një pjesë e Porto Palermos mbetet bazë ushtarake
Transformimi nuk do të përfshijë të gjithë ish-kompleksin, pasi një pjesë e Porto Palermos vazhdon të përdoret nga Forcat Detare Shqiptare për funksione operacionale dhe stërvitore. Moli i vogël dhe godina pranë tij do të mbeten në përdorim ushtarak, ndërsa helipadi do të vazhdojë të ruajë funksionin operacional të Forcave Detare.
Jashtë periudhave kur helipadi nevojitet për operacione ose stërvitje, ai mund të përdoret edhe nga kompleksi i ri, në përputhje me kushtet e sigurisë.
Zona e mbrojtur dhe Kalaja mbeten jashtë ndërhyrjes
Konkursi zhvillohet brenda një territori të mbrojtur. Parku Natyror i Gjirit të Porto Palermos ka një sipërfaqe prej rreth 1,695 hektarësh, gati 88% e së cilës është detare. Zona me regjim strikt mbrojtjeje që mbivendoset me territorin e konkursit përcaktohet si zonë ku nuk lejohen ndërhyrje fizike.
Edhe Kalaja e Porto Palermos mbetet jashtë ndërhyrjes. Sipas kushteve të konkursit, ajo nuk është objekt projektimi, por duhet të trajtohet si pjesë e eksperiencës së përgjithshme të vizitorit dhe e marrëdhënies mes muzeut, gjirit dhe peizazhit.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)